Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 17-të, ndërsa mijëra qytetarë kanë marshuar sërish në rrugët kryesore të Tiranës, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrësit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim të gjatë përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit dhe zonave përreth Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe slogane të shumta, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkuan ndryshim politik. Thirrjet “Rama ik!” dhe “Rama jep dorëheqjen!” dominuan gjatë gjithë marshimit, ndërsa qytetarët deklaruan se do të vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Sipas pjesëmarrësve, protesta ka tejkaluar tashmë çështjen e kundërshtimit të projektit në Zvërnec dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes, korrupsionit, emigracionit masiv dhe problemeve sociale me të cilat përballen qytetarët.
Atmosfera gjatë protestës mbeti paqësore, ndërsa organizatorët bënë thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar edhe në ditët në vijim. Ata njoftuan se protestat do të vazhdojnë çdo ditë, duke theksuar se nuk do të ketë tërheqje nga kërkesat e paraqitura.
Ndërkohë, pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë të mbushin rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, duke e konsideruar protestën si një mjet presioni për të kërkuar ndryshime politike dhe institucionale në vend.
