Policia Kufitare ka ndërmarrë kontrolle të shtuara në zonën bregdetare të Ksamilit, duke bllokuar tetë mjete ujore për verifikime teknike dhe ligjore.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se mjetet e bllokuara mund të kenë fuqi motorike më të lartë se kufijtë e lejuar nga legjislacioni në fuqi. Për këtë arsye, autoritetet kanë nisur procedurat e kontrollit për secilin prej tyre, me qëllim konstatimin e përputhshmërisë me normat e sigurisë dhe dokumentacionin përkatës.
Burime nga Policia Kufitare bëjnë me dije se, në rast se evidentohen shkelje, ndaj pronarëve ose përdoruesve të mjeteve do të merren masat administrative dhe ligjore të parashikuara.
Ky aksion vjen vetëm një ditë pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Ksamil, ku një 22-vjeçar humbi jetën pas një përplasjeje me një mjet të Policisë Kufitare.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa kontrollet në det janë intensifikuar për të garantuar respektimin e rregullave të sigurisë gjatë sezonit turistik.
Verifikimet e nisura do të përcaktojnë nëse mjetet ujore të bllokuara plotësojnë kriteret teknike dhe ligjore për lundrim në hapësirat detare shqiptare.
