Ilir Shtufi kundërshton ekstradimin në Shqipëri, pritet vendimi i gjykatës greke

Data

Biznesmeni Ilir Shtufi, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe përfshirje të dyshuar në organizatë kriminale, është arrestuar në Greqi pas hyrjes së tij në territorin helen.

Sipas raportimeve të mediave greke, 53-vjeçari ka refuzuar ekstradimin vullnetar drejt Shqipërisë, duke bërë që çështja të kalojë për shqyrtim pranë organeve gjyqësore kompetente të Greqisë. Vendimi përfundimtar mbi kërkesën e ekstradimit do të merret nga Këshilli Gjyqësor përkatës.

Autoritetet shqiptare e kanë shpallur Shtufin në kërkim ndërkombëtar në kuadër të një hetimi që lidhet me ngjarje të vitit 2020 në Tiranë. Ai dyshohet për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, përfshirë fonde që dyshohet se burojnë nga trafiku i lëndëve narkotike, si dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale.

Pas arrestimit, gjykata greke ka vendosur masën e paraburgimit ndaj tij deri në përfundim të procedurës së shqyrtimit të kërkesës për ekstradim.

Shtufi është një nga emrat e përfshirë në hetimet e fundit të autoriteteve shqiptare mbi rrjetet e dyshuara të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ndërsa procesi ndaj tij pritet të vijojë në bashkëpunim mes institucioneve të drejtësisë të Shqipërisë dhe Greqisë.

Hetimet mbeten në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të tjera mbi provat apo akuzat konkrete që rëndojnë ndaj biznesmenit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related