Protesta e 15-të radhazi në Tiranë është shoqëruar jo vetëm me thirrje politike, por edhe me pankarta satirike dhe mesazhe ironike të mbajtura nga qytetarët e mbledhur para godinës së Kryeministrisë.
Mes sloganeve që tërhoqën më shumë vëmendje ishin:
- “Rama n’burg”
- “Belinda n’burg”
- “Rama n’burg, Berisha n’burg”
- “Rama jepe dorëheqjen”
- “Kim Jong Rama”
- “Protesta çdo ditë në orën 18:00, oh shit, here we go again”
- “Vallaj o Rame, unë jam më e ndershme se ti”
Disa pankarta iu drejtuan edhe opinionit ndërkombëtar, duke kërkuar vëmendje ndaj zhvillimeve politike në vend. Një prej tyre mbante mesazhin në anglisht: “European leaders, this protest calls for international oversight”.
Pankartat dhe mesazhet kreative janë kthyer në një element të vazhdueshëm të këtyre protestave, duke kombinuar humorin, ironinë dhe kritikën politike. Për shumë pjesëmarrës, ato shërbejnë si një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut.
Protesta e sotme është pjesë e një serie tubimesh që po zhvillohen prej më shumë se dy javësh në Tiranë dhe në qytete të ndryshme ku jeton diaspora shqiptare, me kërkesa që variojnë nga dorëheqja e qeverisë deri te reforma politike dhe institucionale.
