Zviceranët votojnë për kufizimin e popullsisë, referendumi mund të ndryshojë politikat e emigracionit

Data

Qytetarët e Zvicrës po marrin pjesë sot në një referendum të rëndësishëm që mund të ndikojë ndjeshëm në politikat e emigracionit dhe zhvillimin demografik të vendit gjatë dekadave të ardhshme.

Nisma është paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), e cila kërkon vendosjen e një tavani për popullsinë, duke propozuar që numri i banorëve të mos kalojë 10 milionë deri në vitin 2050.

Aktualisht, Zvicra ka rreth 9.1 milionë banorë. Sipas propozimit, nëse popullsia arrin nivelin e 9.5 milionë banorëve, autoritetet do të detyrohen të zbatojnë masa kufizuese ndaj emigracionit, përfshirë rregulla më të ashpra për azilkërkuesit dhe ribashkimin familjar.

Nisma parashikon gjithashtu që, nëse këto masa nuk japin rezultatet e kërkuara, qeveria zvicerane mund të detyrohet të rishikojë ose edhe të ndërpresë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimi Evropian.

Shumica e votuesve kanë ushtruar të drejtën e votës me postë, ndërsa qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura vetëm për disa orë gjatë ditës. Rezultatet e para pritet të publikohen gjatë pasdites.

Referendumi konsiderohet një test i rëndësishëm për qëndrimin e qytetarëve ndaj emigracionit dhe rritjes së popullsisë. Ndërsa sondazhet e hershme tregonin avantazh për mbështetësit e nismës, matjet më të fundit kanë sinjalizuar një garë shumë më të ngushtë, duke e bërë rezultatin përfundimtar të vështirë për t’u parashikuar.

Nëse miratohet, referendumi mund të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm për politikat e brendshme të Zvicrës, por edhe për marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve evropianë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related