Një moment i veçantë është regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë marshimit të protestuesve në rrugët e Tiranës, teksa mijëra qytetarë kishin bllokuar kryqëzimin e njohur si “Brryli”, një nga nyjet më të rëndësishme të qarkullimit në kryeqytet.
Pas kalimit përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, marshimi masiv u zhvendos drejt zonës së “Brrylit”, ku pjesëmarrja e lartë e protestuesve solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve.
Megjithatë, në kulmin e grumbullimit, është shënuar një episod që shumë pjesëmarrës e kanë cilësuar si shembull solidariteti dhe përgjegjësie qytetare.
Sapo në distancë janë dëgjuar sirenat e një ambulance që po transportonte një pacient drejt spitalit, protestuesit kanë reaguar menjëherë. Brenda pak çastesh, turma ka krijuar një korridor të lirë në mes të rrugës, duke i hapur rrugën mjetit të urgjencës për të kaluar pa pengesa.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë protestues që largohen nga korsitë e qarkullimit dhe organizohen spontanisht për të mundësuar kalimin e ambulancës, ndërsa automjeti i urgjencës vazhdon rrugën drejt destinacionit.
Ky moment është përshëndetur nga pjesëmarrësit si një dëshmi se protesta, pavarësisht numrit të madh të qytetarëve dhe bllokimit të trafikut, ka ruajtur ndjeshmërinë ndaj situatave emergjente dhe nevojës për të garantuar kalimin e mjeteve të shpëtimit.
Marshimi vijon në rrugët e kryeqytetit, ndërsa protestuesit vazhdojnë të shprehin kërkesat e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe manifestimeve paqësore në pika të ndryshme të Tiranës.
