Një grup shqiptarësh të diasporës kanë zhvilluar sot një protestë para Ambasadës së Shqipërisë në Washington, duke iu bashkuar valës së tubimeve kundër qeverisë shqiptare që po organizohen në vende të ndryshme të botës.
Me flamuj kombëtarë kuqezi dhe pankarta me mesazhe kundër korrupsionit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit.
Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si:
- “Përpara Shqipëria, poshtë politikanët e korruptuar!”
- “Dorëheqje, dorëheqje!”
- “Shqipëria nuk është në shitje!”
Pjesëmarrësit deklaruan se protesta kishte për qëllim të ngrinte zërin kundër korrupsionit, mungesës së transparencës dhe vendimeve që sipas tyre cenojnë interesat publike dhe pasuritë kombëtare.
Tubimi në Washington vjen në një kohë kur protesta të ngjashme janë raportuar edhe në qytete të tjera ku jetojnë komunitete shqiptare, përfshirë Stokholmin, Melburnin, Nurembergun, Londrën, Brukselin dhe Romën.
Organizatorët thanë se diaspora shqiptare dëshiron të japë kontributin e saj në debatin publik për të ardhmen e vendit, duke kërkuar më shumë llogaridhënie nga institucionet dhe respektim të interesit qytetar.
Protestuesit theksuan se zëri i emigrantëve duhet të dëgjohet, pasi ata vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Shqipërinë dhe të kontribuojnë ekonomikisht e shoqërisht për vendin e tyre.
Tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore dhe pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim si pjesë e një mobilizimi më të gjerë të diasporës shqiptare.
