Autoritetet greke kanë konfirmuar zyrtarisht arrestimin e biznesmenit shqiptar Ilir Shtufi në qytetin e Selanikut, pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e policisë shqiptare dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
Shtufi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Arrestimi i tij vjen vetëm një ditë pas megaoperacionit të zhvilluar nga autoritetet shqiptare kundër disa personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Policisë Greke, arrestimi u realizua më 12 qershor 2026 nga efektivët e Nën-Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore, pas shkëmbimit të informacionit përmes kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe strukturave të INTERPOL-it.
Hetimet paraprake zbuluan se Shtufi kishte hyrë në territorin grek në orët e para të mëngjesit të së premtes, përmes një pike kufitare në veri të Greqisë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat e specializuara të policisë greke nisën operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pas verifikimeve intensive, biznesmeni shqiptar u identifikua në ambientet e një hoteli në Selanik, ku po qëndronte. Ai u shoqërua fillimisht për procedura identifikimi dhe më pas u arrestua zyrtarisht.
Gjatë procesit të verifikimit, autoritetet greke konfirmuan se ndaj tij ishte lëshuar një Njoftim i Kuq Ndërkombëtar nga INTERPOL, me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ky njoftim kishte si objekt arrestimin dhe ekstradimin e tij për akuza që lidhen me pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash, veprimtari që sipas hetimeve lidhen me raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Pas informimit të Prokurorit të Apelit në Selanik, ndaj Shtufit u lëshua urdhri i arrestimit të përkohshëm, duke hapur rrugën për procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.
Në operacion morën pjesë efektivë të Departamentit për Luftimin e Dhunës së Organizuar në Sport, Departamentit për Hetimin e Krimeve Kundër Jetës dhe Pronës, si dhe strukturat e Inteligjencës dhe Operacioneve Speciale të Nën-Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore.
Autoritetet greke bëjnë me dije se i arrestuari do të dalë përpara organeve kompetente të drejtësisë, ndërsa paralelisht do të ndiqen procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Arrestimi i Ilir Shtufit konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në hetimet e SPAK ndaj rrjetit të dyshuar kriminal që operonte në disa shtete të Evropës dhe Amerikës Latine, me aktivitet të fokusuar në trafikun e kokainës dhe pastrimin e të ardhurave të përfituara nga ky aktivitet.
