Ideja e organizimit të një antimitingu socialist vetëm pak metra larg protestës qytetare kundër qeverisë përbën në vetvete një precedent shqetësues në jetën politike shqiptare. Për shumë analistë dhe vëzhgues, skena e djeshme solli ndër mend praktika të ngjashme të përdorura nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili prej vitesh përpiqet të neutralizojë protestat qytetare përmes organizimit të tubimeve paralele me mbështetësit e tij.
Megjithatë, sipas gazetarit që ka reaguar mbi zhvillimet e fundit, antimitingu i organizuar nga Partia Socialiste rezultoi një dështim i qartë. Vetëm pak orë pas përfundimit të aktivitetit, vëmendja publike u rikthye tek protesta qytetare, ndërsa shumë prej pjesëmarrësve të sjellë në aktivitetin e socialistëve iu bashkuan më pas marshimit kundër qeverisë në bulevard.
Por sipas tij, problemi më i madh nuk qëndron tek forma e organizimit të antimitingut, por tek përmbajtja e mesazheve të përcjella nga kryeministri Edi Rama.
Në fjalimin e tij, Rama pretendoi se protesta kundër projekteve në Zvërnec dhe Sazan nuk lidhej realisht me mbrojtjen e mjedisit apo të interesit publik, por ishte pjesë e një përplasjeje më të gjerë ndërkombëtare që lidhet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Këtu fjala nuk është për Zvërnecin, nuk është për flamingot, këtu fjala është për Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Rama.
Për gazetarin, ky është një manipulim i hapur i opinionit publik dhe një përpjekje për të paraqitur protestuesit si kundërshtarë të SHBA-ve apo të investimeve amerikane.
“Për të shpëtuar lëkurën e tij politike, Rama nuk heziton të hedhë baltë mbi popullin shqiptar, duke tentuar ta paraqesë protestën si një lëvizje kundër Amerikës së Donald Trump. Kjo është një akuzë absurde që bie ndesh me vetë realitetin e protestës”, shkruan ai.
Sipas tij, mjafton të shihen pamjet e protestave ku flamujt amerikanë kanë qenë të pranishëm në mënyrë masive për të kuptuar se qytetarët nuk kanë asgjë kundër SHBA-ve.
“Nëse ekziston një person ndaj të cilit drejtohet zemërimi i protestuesve, ai është Edi Rama dhe askush tjetër. Donald Trump nuk është objektivi i kësaj proteste. Përkundrazi, shumë protestues e konsiderojnë administratën amerikane si një aleate në betejën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, argumenton ai.
Edhe më të rënda konsiderohen deklaratat e Ramës që lidhen me Izraelin. Kryeministri sugjeroi se pas protestës fshihen narrativa anti-izraelite dhe se kundërshtimi ndaj investimit në Zvërnec lidhet me faktin që projekti është promovuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
“Ç’lidhje ka Izraeli me investimin në Zvërnec? Apo se dhëndri i Presidentit të SHBA është hebre?”, pyeti Rama gjatë fjalimit të tij.
Për gazetarin, vetë ngritja e kësaj pyetjeje përbën një manipulim të rrezikshëm.
“A mund të tregojë kryeministri një protestues të vetëm që ka sulmuar Izraelin? Një pankartë të vetme me përmbajtje anti-hebreje? Një deklaratë të vetme kundër shtetit izraelit? Nuk ekziston asgjë e tillë”, shkruan ai.
Sipas tij, përfshirja e Izraelit në debatin mbi protestat synon të njollosë lëvizjen qytetare dhe të dëmtojë reputacionin historik të shqiptarëve si një nga popujt më mikpritës ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Gazetari thekson se protesta është një reagim i brendshëm shqiptar kundër qeverisë dhe nuk ka lidhje me agjenda të huaja, me Iranin apo me ndonjë përplasje gjeopolitike.
“Jemi përballë një proteste tërësisht shqiptare, të lindur nga pakënaqësia ndaj qeverisjes. Çdo përpjekje për ta paraqitur atë si produkt të ndikimeve të huaja është e destinuar të dështojë”, vlerëson ai.
Në përfundim, gazetari argumenton se sa më shumë që kryeministri përpiqet të devijojë debatin drejt teorive të komploteve dhe aktorëve të jashtëm, aq më shumë humbet kontaktin me realitetin politik në vend.
“Sot është dita e 14-të e protestës ‘Rama ik’. Një lëvizje që po shndërrohet në një nga protestat më të gjata qytetare të viteve të fundit dhe që, sipas organizatorëve, do të vazhdojë deri në largimin e qeverisë”, përfundon reagimi.
