Numërohen mbi 92% e votave në Kosovë, LVV kryeson bindshëm! Ja si ndahen mandatet në Kuvend

Data

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë po shkon drejt përfundimit, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri në orët e paradites së të shtunës janë numëruar 2,497 nga 2,691 vendvotime, ose 92.79 për qind e totalit.

Rezultatet e deritanishme e nxjerrin LVV-në forcën më të madhe politike në vend me 310,591 vota, që përfaqësojnë 44.09 për qind të votave të vlefshme.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka marrë 146,670 vota ose 20.82 për qind. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 120,257 vota, që përkthehen në 17.07 për qind të totalit.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 49,939 vota ose 7.09 për qind.

Si ndahen mandatet në Kuvend?

Bazuar në rezultatet aktuale dhe përllogaritjet paraprake të KQZ-së, përbërja e Kuvendit të Kosovës pritet të jetë si më poshtë:

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 50 mandate
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 23 mandate
  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 19 mandate
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 8 mandate

Megjithatë, këto shifra mbeten paraprake dhe mund të pësojnë ndryshime të vogla deri në përfundimin e numërimit të plotë dhe certifikimit zyrtar të rezultatit.

Drejt formimit të qeverisë së re

Rezultati aktual konfirmon dominimin e LVV-së në këto zgjedhje, por me 50 mandate ajo mbetet larg shumicës absolute prej 61 deputetësh që nevojiten për formimin e vetme të qeverisë.

Kjo do të thotë se pas certifikimit të rezultateve pritet të nisin negociatat politike për krijimin e koalicioneve dhe sigurimin e shumicës parlamentare që do të qeverisë Kosovën në katër vitet e ardhshme.

Procesi i numërimit vijon në të gjitha qendrat e mbetura të votimit, ndërsa KQZ pritet të publikojë rezultate të reja gjatë orëve në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related