Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet protestat qytetare: Kërkesat duhen dëgjuar, jo trajtuar me arrogancë

Data

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, duke shprehur mbështetjen për të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe duke kërkuar më shumë dialog e transparencë nga institucionet shtetërore.

Në një deklaratë publike, KASH thekson se protestat përfaqësojnë një shprehje legjitime të shqetësimeve qytetare për çështje që lidhen me interesin kombëtar, mbrojtjen e mjedisit, pasuritë publike dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

Sipas Këshillit, mesazhet e përcjella nga protestuesit meritojnë vëmendje serioze dhe trajtim institucional, në përputhje me standardet demokratike dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Protestat e fundit përcjellin mesazhe të qarta dhe legjitime, të cilat meritojnë vëmendje, dialog dhe transparencë nga institucionet shtetërore”, thuhet në reagim.

KASH vlerëson se lëvizja qytetare nuk kufizohet vetëm te një çështje konkrete, por reflekton pakënaqësi më të gjera të akumuluara ndër vite, që lidhen me perceptimet për korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e besimit te institucionet.

Në deklaratë theksohet se këto shqetësime kërkojnë reflektim serioz nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.

Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet mënyrës së trajtimit të protestuesve dhe kërkesave të tyre. Këshilli shpreh shqetësim për qasjet që, sipas tij, kanë qenë shpërfillëse ndaj zërit qytetar.

“KASH dënon çdo qasje arrogante apo shpërfillëse ndaj shqetësimeve qytetare. Në një shoqëri demokratike, dëgjimi i zërit të qytetarëve, konsultimi publik dhe llogaridhënia janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes së përgjegjshme”, thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve shpreh mbështetje për investimet e huaja strategjike që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, por thekson se ato duhet të realizohen me transparencë të plotë, në respekt të ligjit dhe me garanci për mbrojtjen e mjedisit dhe interesit kombëtar.

Sipas KASH, projektet që prekin zona me rëndësi strategjike, bregdetare apo ekologjike duhet të shoqërohen me konsultim publik dhe me garanci të qarta për mbrojtjen e sovranitetit, pronës publike dhe pasurive kombëtare.

Në përfundim, Këshilli u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve, komuniteteve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, me synim forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen afatgjatë të interesave të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related