DW: Protestat qytetare në Shqipëri sfidojnë qeverinë, ekspertët kërkojnë reflektim mbi shkaqet e pakënaqësisë

Data

Protestat qytetare që kanë hyrë në javën e tyre të dytë në Shqipëri po tërheqin vëmendjen e mediave dhe ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët i konsiderojnë ato si pjesë të një fenomeni më të gjerë të mobilizimit qytetar të brezit të ri në Ballkan dhe më gjerë.

Në një analizë të publikuar nga Deutsche Welle, protestat që nisën pas kundërshtimeve ndaj projektit turistik në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit përshkruhen si një lëvizje që tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare mjedisore, duke u shndërruar në një shprehje më të gjerë të pakënaqësisë ndaj korrupsionit, varfërisë, emigracionit dhe mënyrës së qeverisjes në vend.

Sipas raportimit, protesta u nxit fillimisht nga reagimet pas një incidenti në Zvërnec, ku një qytetar u përplas me forcat e sigurisë private gjatë kundërshtimit të projektit të investimit turistik. Brenda pak ditësh, mobilizimi qytetar u zgjerua dhe mori përmasa kombëtare, duke mbledhur mijëra qytetarë në Tiranë dhe në qytete të tjera.

Ekspertja e politikave europiane, Iliriana Gjoni nga Carnegie Europe, vlerëson se protestat lidhen drejtpërdrejt me standardet që Shqipëria ka marrë përsipër të përmbushë në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Tubimet paqësore dhe shprehja e pakënaqësisë qytetare nuk janë kërcënim për stabilitetin. Përkundrazi, ato janë mekanizma demokratikë që ndihmojnë shoqëritë të korrigjojnë veten dhe të forcojnë institucionet”, citohet të ketë deklaruar ajo për Deutsche Welle.

Nga ana tjetër, studiuesi Ivaylo Dinev nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Europën Lindore në Berlin e konsideron lëvizjen si një përpjekje për të rinegociuar kontratën sociale mes qytetarëve dhe institucioneve.

Sipas tij, slogane si “Shqipëria nuk është në shitje” pasqyrojnë kërkesën që interesat publike të vendosen mbi interesat e elitave politike dhe ekonomike.

Analiza ndalet edhe te deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka folur për ndikime të huaja dhe elementë të ashtuquajtur të “luftës hibride” në lidhje me protestat. Megjithatë, ekspertët e intervistuar nga DW theksojnë se çdo qeveri demokratike duhet të fokusohet jo vetëm te burimi i mundshëm i ndikimeve të jashtme, por edhe te arsyet pse protestat po gjejnë mbështetje në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë.

“Nëse mijëra qytetarë dalin në rrugë, pyetja kryesore duhet të jetë pse këto protesta po rezonojnë me shoqërinë”, vlerëson Gjoni.

Në analizë evidentohet gjithashtu roli i brezit të ri, i njohur si “Gen Z”, i cili po përdor rrjetet sociale dhe format moderne të komunikimit për të organizuar mobilizime masive qytetare, një fenomen i ngjashëm me lëvizjet e fundit në Serbi, Bullgari dhe vende të tjera të rajonit.

Dinev argumenton se protestat në Shqipëri po ndjekin modelin e asaj që ai e quan “demokraci protestuese”, ku qytetarët kërkojnë të dëgjohen jo vetëm përmes votës, por edhe përmes angazhimit publik në rrugë.

Sipas tij, sfida kryesore mbetet nëse kjo energji qytetare do të mund të shndërrohet në ndryshime të qëndrueshme politike dhe institucionale.

Ekspertët theksojnë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse mobilizimi aktual do të prodhojë pasoja konkrete në jetën politike shqiptare apo do të mbetet një shprehje e përkohshme e pakënaqësisë qytetare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related