Tubimi vijon drejt Astirit/ Mijëra qytetarë marshojnë në rrugët e Tiranës: “Rama jepe dorëheqjen”

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë ka vijuar edhe gjatë mbrëmjes së sotme, me mijëra qytetarë që kanë marshuar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke e shtrirë tubimin deri në zonën e Astirit.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, marshimit drejt Kryeministrisë dhe lëvizjes nëpër bulevardet kryesore të Tiranës, protestuesit kanë vijuar rrugëtimin e tyre drejt perëndimit të qytetit, duke mbajtur të njëjtat mesazhe dhe kërkesa që kanë shoqëruar protestën prej 12 ditësh.

“Rama jepe dorëheqjen” ka qenë thirrja më e përsëritur gjatë marshimit, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Protestuesit kanë theksuar vazhdimisht karakterin qytetar dhe paqësor të lëvizjes, duke deklaruar se tubimi nuk përfaqëson asnjë forcë politike dhe se synon të mbetet i pavarur nga partitë.

Gjatë marshimit janë dëgjuar edhe thirrje të tjera si:

  • “Rama ik”
  • “Atdheu nuk shitet”
  • “Shqipëri e Re”
  • “Ju erdhi fundi”
  • “Shqipëria është e jona”

Pjesëmarrësit kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, hetimin e zyrtarëve të lartë për çështje korrupsioni dhe ndryshimin e politikave që, sipas tyre, kanë ndikuar negativisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Ndërkohë, marshimi është zhvilluar pa incidente, nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Protesta e nisur kundër projektit të diskutueshëm në zonën e Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, me pjesëmarrje të vazhdueshme në Tiranë dhe mbështetje nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related