Pankarta dhe mesazhe simbolike në protestën para Kryeministrisë, qytetarët shprehin pakënaqësitë ndaj qeverisë

Data

Protesta qytetare që po zhvillohet për të 12-ën ditë radhazi para Kryeministrisë është shoqëruar edhe këtë mbrëmje me pankarta dhe mesazhe të ndryshme të mbajtura nga pjesëmarrësit.

Mijëra qytetarë të mbledhur në bulevard kanë përdorur pankarta për të shprehur kritikat e tyre ndaj qeverisë, situatës ekonomike, emigracionit, korrupsionit dhe zhvillimeve politike në vend.

Mes mesazheve të shfaqura në protestë janë parë slogane që kërkojnë llogaridhënie nga drejtuesit politikë, drejtësi për aferat e denoncuara publikisht dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes. Disa pankarta përmbanin mesazhe të drejtpërdrejta ndaj figurave politike, ndërsa të tjera fokusoheshin te fenomeni i emigracionit, varfëria dhe pakënaqësitë sociale.

Pankartat dhe simbolet e përdorura nga protestuesit janë bërë një nga elementët më të dukshëm të tubimeve të ditëve të fundit, duke reflektuar shqetësime dhe qëndrime të ndryshme të pjesëmarrësve.

Organizatorët kanë theksuar se protesta synon të mbetet një manifestim qytetar dhe paqësor, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe adresim të problemeve që, sipas tyre, prekin jetën e përditshme të shqiptarëve.

Ndërkohë, protesta para Kryeministrisë po vazhdon me fjalime, performanca simbolike dhe thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related