Qytetarët e mbledhur në protestën e 12-të radhazi kanë nisur mbrëmjen e së enjtes marshimin nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin e tyre kundër qeverisë.
Nën thirrjet “Edi Rama dorëhiqu”, protestuesit po marshojnë në bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit.
Pjesëmarrësit në tubim shprehen se protesta ka bashkuar qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe sociale, të cilët kundërshtojnë atë që e cilësojnë si keqqeverisje, korrupsion dhe mungesë të përgjegjshmërisë institucionale.
Marshimi i sotëm vjen pas një serie protestash të përditshme që kanë vazhduar për gati dy javë në Tiranë dhe që, sipas organizatorëve, kanë gjetur mbështetje edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Ndërsa kolona e protestuesve po i afrohet Kryeministrisë, organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin paqësor të tubimit dhe për ruajtjen e karakterit qytetar të protestës.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa mbrëmja pritet të shoqërohet me fjalime dhe aktivitete para selisë së qeverisë.
