Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 12-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të mblidhen në qendër të Tiranës duke kërkuar ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Mes protestuesve ishte edhe influencerja Griselda Katirai, e cila tërhoqi vëmendjen duke u paraqitur në protestë me një jastëk në duar, si simbol i gatishmërisë për të qëndruar për një kohë të gjatë para institucioneve shtetërore.
Në një deklaratë për mediat, Katirai u shpreh se pakënaqësia qytetare ka arritur kulmin dhe se protestuesit janë të vendosur të vazhdojnë mobilizimin e tyre.
“Nëse është e nevojshme, do të flemë para Kryeministrisë. Mos të na ironizojë Rama ne influencerëve. Tepsia kërkon kurban, Ramën dhe Berishën. Unë protestoj sepse kupa është mbushur”, deklaroi ajo.
Sipas Katirait, qytetarët kërkojnë që prioritetet e qeverisjes të fokusohen tek shërbimet bazë dhe jo tek projektet luksoze.
“Nuk duam investime luksi, por spitale. Një i sëmurë shkon të bëjë serumin e të marrë veten, jo të detyrohet ta blejë vetë sepse nuk e gjen në spital”, tha ajo.
Influencerja u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë dhe të vazhdojnë presionin qytetar ndaj institucioneve.
“Shqiptarët duhet të mblidhen të gjithë dhe ta gdhijmë para Kryeministrisë nëse është e nevojshme”, u shpreh Katirai.
Protesta e sotme po zhvillohet në Tiranë nën thirrjet për ndryshim politik dhe vijon të mbledhë qytetarë të moshave dhe profileve të ndryshme, të cilët deklarojnë se kërkojnë më shumë transparencë, llogaridhënie dhe përmirësim të kushteve të jetesës në vend.
