Tabaku për protestat: Shqipëria është ngritur në këmbë, qeveria duhet të dëgjojë qytetarët dhe të japë dorëheqjen

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në Kuvend lidhur me protestat që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se lëvizja qytetare ka tejkaluar tashmë kufijtë e një kauze të vetme dhe është shndërruar në një reagim të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes në vend.

Gjatë fjalës së saj në seancën parlamentare, Tabaku deklaroi se protestuesit po ngrihen kundër një realiteti që, sipas saj, i ka detyruar shumë qytetarë të humbasin besimin tek institucionet dhe tek përfaqësimi politik.

“Ata protestojnë sepse ndihen të papërfaqësuar. Protestojnë sepse nuk duan të largohen nga Shqipëria dhe kërkojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre”, u shpreh deputetja demokrate.

Tabaku tha se ka qenë e pranishme në protestë që nga dita e parë dhe e cilësoi pjesëmarrjen e të rinjve si një nga momentet më domethënëse të kësaj lëvizjeje qytetare.

“Kam parë të rinj që refuzojnë të pranojnë situatën aktuale dhe që kërkojnë ndryshim. Nuk ka emocion më të madh sesa të jesh pranë tyre dhe të dëgjosh zërin e tyre”, deklaroi ajo.

Duke kujtuar qëndrimet e opozitës gjatë viteve të fundit, Tabaku tha se Partia Demokratike ka ngritur vazhdimisht shqetësime për ligjin e zonave të mbrojtura, investimet strategjike dhe vendime të tjera që, sipas saj, kanë cenuar interesin publik dhe kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen europiane të vendit.

Sipas deputetes, protesta aktuale është një sinjal i qartë se qytetarët kërkojnë ndryshim dhe se politika duhet të reflektojë.

“Sot është ngritur e gjithë Shqipëria në këmbë dhe ne duhet ta dëgjojmë. Duhet ta dëgjojmë ne si forcë politike, por mbi të gjitha duhet ta dëgjojë qeveria. Qytetarët kanë kërkesa legjitime për ndryshim dhe për përgjegjësi politike”, tha Tabaku.

Në përfundim të fjalës së saj, ajo përsëriti qëndrimin e opozitës se zgjidhja për situatën aktuale është largimi i qeverisë aktuale, duke argumentuar se ndryshimi i kërkuar nga qytetarët duhet të nisë me dorëheqjen e mazhorancës socialiste.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related