Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të enjte se kufizimi që i ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është hequr dhe se ai ka marrë një komunikim zyrtar për këtë çështje.
Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se nuk ka qenë kurrë “non grata” në kuptimin e përdorur në debatin politik shqiptar, por se ndaj tij kishte ekzistuar një masë që lidhej me ndalimin e hyrjes në territorin amerikan.
“Unë kam patur komunikim zyrtar. Ajo çka mund të them është se unë u ktheva. Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Ka patur një sanksion për vizën. Kundërshtarët e mi e quajtën non grata, por edhe unë nuk e kundërshtova. Ka qenë një ndalim hyrje në SHBA. Sot unë them: u ktheva”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka pasur një njoftim publik apo deklaratë zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të konfirmojë heqjen e masës së vendosur ndaj ish-kryeministrit shqiptar.
Për më tepër, dokumentacioni publik i Departamentit të Shtetit vazhdon të përfshijë emrin e Berishës në listën e personave të sanksionuar për korrupsion madhor. Në vendimin e publikuar në maj të vitit 2021 figurojnë gjithashtu bashkëshortja e tij, Liri Berisha, si dhe fëmijët e tyre, Argita dhe Shkëlzen Berisha.
Në atë kohë, Departamenti Amerikan i Shtetit argumentoi se Berisha ishte përfshirë në akte të konsideruara si korrupsion madhor gjatë ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa masa u shtri edhe ndaj familjarëve të afërt.
Deklaratat e Berishës kanë nxitur debate të forta politike në Tiranë. Përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar zhvillimin si një fitore politike për kreun e PD-së, ndërsa përfaqësues të mazhorancës kanë kërkuar të pritet një konfirmim zyrtar nga autoritetet amerikane para se të nxirren përfundime.
Deri në publikimin e një qëndrimi zyrtar nga Uashingtoni, statusi i saktë i masës së vendosur ndaj Berishës mbetet objekt diskutimi politik dhe interpretimi publik.
