Balla për raportimet mbi “non gratën” e Berishës: Presim një njoftim zyrtar nga SHBA, nuk komentojmë thashetheme

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në Kuvend lidhur me raportimet se kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është hequr statusi i shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë debatit parlamentar, Balla ironizoi opozitën për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje, duke thënë se deputetët demokratë janë bërë “si telefon i prishur” duke përcjellë informacione të pakonfirmuara.

“Po na thuhet këtu se protesta paska arritur suksesin e parë dhe është hequr ‘non grata’. Madje po dëgjojmë se sloganet e protestës do të ndryshojnë. Jeni bërë si telefon i prishur”, deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.

Ai theksoi se, sipas vlerësimit të tij, vendimi me të cilin Berisha u shpall i padëshiruar për hyrje në SHBA nuk është një çështje që mund të ndryshohet lehtësisht dhe se çdo koment duhet të bazohet në njoftime zyrtare.

“Sa i përket ‘non gratës’, në vlerësimin tim është një procedurë e vështirë për t’u ndryshuar. Megjithatë, unë do ta komentoj vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk komentoj biseda telefonike apo informacione jozyrtare, sepse kjo nuk është institucionale”, u shpreh ai.

Deklarata e Ballës erdhi pasi përfaqësues të opozitës, përfshirë nënkryetarin e PD-së Luçiano Boçi, pretenduan në Kuvend se Berishës i është komunikuar heqja e kufizimeve për hyrjen në SHBA.

Deri në këtë moment nuk ka një deklaratë publike apo njoftim zyrtar nga autoritetet amerikane që të konfirmojë ndryshimin e statusit të vendosur ndaj Berishës në vitin 2021.

Debati mbi këtë çështje ka dominuar diskutimet në Kuvend, duke u kthyer në një tjetër pikë përplasjeje mes mazhorancës dhe opozitës, në një klimë politike të tensionuar të shoqëruar edhe nga protestat e fundit qytetare në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related