Boçi pas raportimeve për heqjen e “non gratës”: “Sali Berisha ju mundi të gjithëve”

Data

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar në Kuvend pas raportimeve se kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i është komunikuar heqja e kufizimeve për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së tij, Boçi iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke deklaruar se zhvillimi në fjalë përbën një fitore politike dhe morale për Berishën dhe Partinë Demokratike.

“Sot ne jemi krenarë. Sali Berisha ju mundi të gjithëve ju që jeni këtu. Mundi dhe hodhi poshtë të gjitha shpifjet, mashtrimet dhe baltën që hodhët mbi atë dhe mbi Partinë Demokratike”, u shpreh Boçi nga foltorja e Kuvendit.

Ai shtoi se, sipas tij, kundërshtarët politikë duhet të reflektojnë dhe të kërkojnë ndjesë për qëndrimet e mbajtura ndër vite ndaj liderit të opozitës.

“Sot është dita që ju të kërkoni ndjesë. Frika juaj është bërë edhe më e madhe. E kishit nga protestat, ndërsa sot ajo është rritur edhe më shumë. Vazhdoni të mashtroni dhe nuk merrni mësime nga historia”, deklaroi nënkryetari i PD-së.

Deklaratat e Boçit vijnë pas raportimeve mediatike se Berishës i është komunikuar një vendim që i mundëson udhëtimin drejt SHBA-së. Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka ende një konfirmim publik zyrtar nga autoritetet amerikane për ndryshimin e statusit të vendosur ndaj Berishës në vitin 2021.

Çështja ka shkaktuar debate të forta politike në Kuvend, ku përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar si një zhvillim që rrëzon akuzat e ngritura ndaj liderit të tyre, ndërsa nga mazhoranca ende nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me raportimet e fundit.

Diskutimet në seancën plenare u zhvilluan në një klimë të tensionuar politike, të shoqëruara edhe me debate mbi protestat qytetare dhe zhvillimet e fundit në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related