Berisha nga Kuvendi: Të dëgjohet zëri i protestuesve, kërkoj mocion urgjent me debat për kërkesat e tyre

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke kërkuar që Parlamenti të trajtojë me përparësi kërkesat e protestuesve.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se protesta ka marrë përmasa të mëdha dhe se institucionet duhet të dëgjojnë mesazhin që, sipas tij, po përcillet nga qytetarët, veçanërisht nga të rinjtë.

“Sot shqiptarët, në Shqipëri dhe kudo në botë, presin nga ky Parlament një përgjigje të menjëhershme ndaj kërkesave të qindra mijëra të rinjve që prej 12 ditësh po zhvillojnë një protestë paqësore. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe synojnë mbrojtjen e interesit publik dhe të ardhmes së vendit”, u shpreh Berisha.

Lideri i opozitës kërkoi që Kuvendi të zhvillojë një mocion urgjent me debat, duke e fokusuar axhendën parlamentare te çështjet e ngritura nga protestuesit.

“Kërkoj urgjentisht një mocion me debat dhe që në rendin e ditës të Kuvendit të trajtohen vetëm kërkesat e protestuesve. Dëgjimi i zërit të tyre është një domosdoshmëri absolute”, deklaroi ai.

Berisha paralajmëroi se neglizhimi i këtyre kërkesave do të përbënte, sipas tij, një gabim politik dhe historik.

“Nëse nuk dëgjohet ky zë, do të jetë vonë dhe do të mbetet një gabim i madh për historinë shqiptare. Duhet të ketë reflektim dhe distancim nga politikat që kanë sjellë këtë situatë”, tha kreu i PD-së.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur protestat e nisura kundër projektit të zhvillimit në Zvërnec janë shoqëruar me kërkesa më të gjera politike, përfshirë dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të parakohshme dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.

Ndërkohë, mazhoranca ka mbrojtur projektet e saj dhe ka argumentuar se investimet strategjike janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related