Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me tensione gjatë paradites së sotme, pasi kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, kundërshtoi drejtimin e seancës dhe tentoi të bllokonte foltoren parlamentare.
Situata u krijua menjëherë pas përfundimit të fjalës së deputetit socialist Ardit Bido. Shehaj pretendoi se ishte përmendur në mënyrë indirekte gjatë diskutimit dhe kërkoi të drejtën e replikës para se në foltore të ngjitej nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.
Për disa momente, Shehaj qëndroi pranë foltores duke mos lejuar vijimin normal të debatit parlamentar, ndërsa kërkonte fjalën për t’iu përgjigjur deklaratave që, sipas tij, i referoheshin drejtpërdrejt.
Kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, ndërhyri duke i kërkuar deputetit të ulej në vendin e tij, pasi sipas interpretimit të presidencës së Kuvendit, emri i Shehajt nuk ishte përmendur nga deputeti Bido dhe për rrjedhojë nuk ekzistonin kushtet procedurale për një replikë.
Debati u shoqërua edhe me shkëmbime ironike mes palëve.
“Uluni”, iu drejtua Peleshi deputetit të Partisë Mundësia.
“Nuk mund ta di që iu referua juve si Smith. Unë nuk e di që jeni Adam Smith. Nga ta gjej?”, u shpreh Peleshi, duke iu përgjigjur pretendimit të Shehajt se referenca e bërë nga Bido lidhej me të.
Pas disa minutash ndërprerje dhe diskutimesh procedurale, seanca vijoi normalisht me rendin e ditës.
Tensionet në Kuvend vijnë në një moment të ngarkuar politik, teksa debati publik dhe parlamentar është fokusuar te protestat e ditëve të fundit, projektet e zhvillimit në Zvërnec dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.
