Rama mbron investimet e huaja: “Shqipëria nuk mund të pranojë vetëprapakthimin”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet për projektin e zhvillimit në Zvërnec dhe protestat që po zhvillohen kundër tij, duke argumentuar se Shqipëria nuk duhet të pengojë investimet e huaja në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po garojnë për t’i tërhequr ato.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama solli si shembull ishullin grek Mykonos, ku sipas tij po realizohen projekte të mëdha turistike nga marka ndërkombëtare të hotelerisë dhe investitorë të huaj.

“Po si mund t’i mbyllim ne rrugët për kapitalet e mëdha, tani që ato po nisin të vijnë në Shqipëri pas tërë mundit të madh që kemi bërë për të ardhur në këtë pikë?”, shkroi ai.

Kryeministri argumentoi se zhvillimi ekonomik dhe turistik matet me aftësinë për të tërhequr investime të huaja dhe se kundërshtimi i tyre përbën, sipas tij, një “ftesë për vetëprapakthim kolektiv”.

Debati publik është përqendruar veçanërisht te projekti i propozuar në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, i cili ka nxitur reagime të forta nga aktivistë mjedisorë, banorë lokalë dhe pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit. Kundërshtarët e projektit kërkojnë më shumë transparencë, konsultim publik dhe garanci për mbrojtjen e zonave natyrore, ndërsa qeveria argumenton se investime të tilla janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e turizmit.

Në deklaratën e tij, Rama theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë të konkurrojë me vendet e tjera të Mesdheut për tërheqjen e investitorëve dhe se nuk do të mbështesë politika që, sipas tij, do ta izolonin vendin nga flukset e kapitalit ndërkombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related