Banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë kanë paralajmëruar një protestë kombëtare ditën e shtunë, duke kundërshtuar rrethimin me gardh dhe tela me gjemba të sipërfaqeve që ata pretendojnë se janë prona të tyre.
Sipas tyre, gardhi nuk simbolizon vetëm humbjen e tokës, por edhe cenimin e dinjitetit dhe të drejtave të komunitetit lokal. Ata shprehen se prej muajsh kanë zhvilluar tubime dhe reagime publike, ndërsa tashmë kanë vendosur ta përshkallëzojnë aksionin e tyre.
“Gardhi me tela me gjemba nuk rrethon vetëm një copë tokë, por dinjitetin tonë të nëpërkëmbur”, deklarojnë banorët në reagimet e tyre publike.
Përfaqësues të komunitetit kanë bërë të ditur se protesta e së shtunës synon të tërheqë vëmendjen kombëtare ndaj çështjes së pronave në zonën e Baks-Rrjollit dhe kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e konfliktit.
Banorët e Rrjollit i janë bashkuar edhe protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se kërkesat e tyre lidhen me mbrojtjen e pronës private, transparencën institucionale dhe respektimin e të drejtave qytetare.
