Tropoja i bashkohet protestave qytetare, thirrje për mobilizim në sheshin e qytetit

Data

Valës së protestave që prej ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të ndryshme të vendit pritet t’i bashkohet edhe Tropoja.

Organizatorët kanë njoftuar zhvillimin e një tubimi qytetar këtë të mërkurë në orën 18:00, përpara muzeut të qytetit, duke ftuar banorët të marrin pjesë me flamuj kombëtarë dhe pankarta që shprehin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Në thirrjen drejtuar qytetarëve theksohet nevoja për reagim ndaj padrejtësive dhe problematikave që, sipas organizatorëve, kanë shoqëruar vendin gjatë dekadave të fundit. Pjesëmarrësit inkurajohen të marrin me vete familjarët dhe të bëhen pjesë e manifestimit qytetar.

Zgjerimi i protestave në Tropojë shihet si një tjetër tregues i përhapjes së pakënaqësisë në zona të ndryshme të vendit, ndërsa protestat e nisura fillimisht për çështje mjedisore kanë marrë gradualisht një dimension më të gjerë politik dhe social.

Ndërkohë, në Tiranë pritet të zhvillohet protesta e radhës kombëtare, ku qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë do të mblidhen për të shprehur qëndrimet e tyre ndaj qeverisë dhe zhvillimeve politike në vend.

Organizatorët kanë bërë thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe qytetare, duke respektuar rendin publik dhe të drejtën demokratike të tubimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related