Berisha: Protestat janë qytetare, PD nuk i ka thirrur por mbështet plotësisht kërkesat e tyre

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita mbështet plotësisht protestat qytetare që po zhvillohen në vend, ndërsa theksoi se ato nuk janë organizuar nga Partia Demokratike.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u ndal te pjesëmarrja e tij në konferencën e Partive Popullore Europiane (PPE) në Sarajevë, ku tha se kishte informuar partnerët ndërkombëtarë mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat që po mbahen kundër qeverisë.

Sipas tij, protestuesit janë ngritur me kërkesa legjitime që lidhen me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe me kundërshtimin e ligjeve që, sipas opozitës, cenojnë Kushtetutën, mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

Berisha deklaroi se gjatë takimeve në Sarajevë ka denoncuar gjuhën dhe qëndrimin e kryeministrit ndaj protestuesve, duke e akuzuar për kërcënime, fyerje dhe etiketime ndaj pjesëmarrësve në tubime.

“Informova audiencën se kjo protestë nuk është thirrur nga Partia Demokratike, por ne qëndrojmë në mbështetje të plotë të kërkesave të protestuesve”, u shpreh ai.

Kreu i demokratëve kërkoi gjithashtu mbështetje ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore të situatës politike në vend, duke propozuar largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të organizonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për mungesë legjitimiteti politik dhe zgjedhor, duke deklaruar se protestat përfaqësojnë një reagim qytetar ndaj mënyrës së qeverisjes dhe krizës politike në vend.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestat dhe kërkesat e qytetarëve, duke i konsideruar ato pjesë të një lëvizjeje më të gjerë për ndryshim politik dhe institucional.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related