Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një paketë mbështetjeje financiare për familjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës, si dhe për efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë të njëjtit operacion kundër elementëve kriminalë.
Sipas vendimit të qeverisë, familjes së Enea Mekollit do t’i akordohet një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh të reja, ndërsa efektivi Edison Adri do të përfitojë 3 milionë lekë të reja si mbështetje pas plagosjes në detyrë.
Në njoftimin zyrtar theksohet se, megjithëse asnjë ndihmë financiare nuk mund të lehtësojë humbjen e një jete njerëzore apo pasojat e një ngjarjeje të rëndë, shteti ka detyrimin moral dhe institucional të qëndrojë pranë familjeve të efektivëve që sakrifikojnë në shërbim të sigurisë publike.
“Sacrifica e tyre nuk do të harrohet. Shteti do të vazhdojë të mbështesë familjet e tyre me respekt, mirënjohje dhe ndihmë konkrete”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se po ndjek edhe procedurat e tjera ligjore për trajtimin e familjes së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë zbatimin e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për anëtarët e familjes që përfitojnë nga ky status.
Vendimi vjen si një akt mbështetjeje dhe vlerësimi për kontributin dhe sakrificën e efektivëve të Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrës së tyre.
