Protestuesja nga diaspora: “Po shënojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur, Shqipëria po zgjohet”

Data

Një e re shqiptare e ardhur nga jashtë vendit për t’iu bashkuar protestës qytetare në Tiranë e cilësoi tubimin si një moment historik për vendin, duke deklaruar se shqiptarët po bashkohen përtej bindjeve politike dhe po kërkojnë një të ardhme ndryshe për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së saj para protestuesve, ajo tha se për herë të parë pas më shumë se tre dekadash tranzicion, qytetarët po vendosin interesin e vendit mbi çdo ndarje politike apo ideologjike.

“Për herë të parë në 35 vite shqiptarët bëhen bashkë. Është një moment historik, sepse shqiptarët po dëshmojnë se Shqipëria është mbi gjithçka. Po tregojnë se nuk mund të përdoren apo të manipulohen nga askush dhe se fytyra më dinjitoze e vendit po shfaqet sot në këtë protestë”, u shpreh ajo.

Sipas protestueses, mobilizimi qytetar përfaqëson një kthesë të rëndësishme në jetën publike të vendit dhe një shenjë të qartë se qytetarët kërkojnë të marrin vetë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë.

“Nga kjo ditë shënojmë fundin e tranzicionit të tejzgjatur. Fytyra europiane e Shqipërisë është kjo protestë dhe janë qytetarët që marrin pjesë në të. Shqipërisë duhet t’i dalim vetë zot”, deklaroi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, protestuesja u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që ende nuk janë bashkuar me protestën të marrin pjesë në tubimet e ardhshme.

“Ftoj çdo shqiptar që e do vendin e tij të na bashkohet çdo ditë në këtë shesh. Ky është një moment që i përket kujtdo që beson te Shqipëria dhe te e ardhmja e saj. Uroj që Zoti ta bekojë Shqipërinë, por bekimi më i madh për vendin janë qytetarët që po ngrihen dhe po bëhen bashkë”, tha ajo.

Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related