Ish-komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, mori pjesë në protestën e dhjetë qytetare të zhvilluar në Tiranë kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke deklaruar se pakënaqësia qytetare shkon përtej kësaj çështjeje dhe lidhet me mënyrën e qeverisjes në vend.
Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Meçollari e cilësoi lëvizjen qytetare si një moment të rëndësishëm reflektimi për të ardhmen e vendit, duke theksuar se qytetarët po kërkojnë një shtet ligjor, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
“Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën. Kjo protestë po tregon se shqiptarët kërkojnë një mënyrë tjetër qeverisjeje dhe një shtet që respekton ligjin dhe interesin publik”, u shpreh ai.
Meçollari solli në vëmendje edhe projekte të tjera publike, të cilat sipas tij kanë ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e fondeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ai përmendi Aeroportin e Kukësit, duke deklaruar se infrastruktura ekziston, por aktiviteti i fluturimeve mbetet i kufizuar.
“Aeroporti i Kukësit është një shembull që duhet analizuar. Është ndërtuar një investim i rëndësishëm, por sot nuk ka aktivitetin që pritej të kishte”, tha ai.
Ish-komandanti kritikoi gjithashtu projektin për transformimin e Portit të Durrësit, duke argumentuar se ai ka rëndësi strategjike për transportin dhe ekonominë kombëtare.
Sipas tij, debate të ngjashme janë zhvilluar edhe për zhvillimet urbane në zona të tjera bregdetare, përfshirë Palasën dhe Limionin, ku ai ngriti shqetësime mbi ndikimin në mjedis dhe interesin publik.
Protesta e së martës shënoi ditën e dhjetë të mobilizimit qytetar, i cili fillimisht nisi si reagim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, por më pas u zgjerua duke përfshirë kërkesa më të gjera që lidhen me qeverisjen, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e pasurive publike.
Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
