Protestuesja nga sheshi: “Na quajtën 2 mijë veta, por zëri ynë po dëgjohet gjithandej”

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe këtë të martë në kryeqytet, duke shënuar ditën e saj të dhjetë radhazi. Qytetarë të shumtë u mblodhën në qendër të Tiranës dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u artikuluan kërkesa politike e sociale.

Gjatë tubimit, një nga protestueset mori fjalën dhe ironizoi deklaratat që, sipas saj, minimizojnë pjesëmarrjen në protestë.

“Na thanë se jemi vetëm 2 mijë veta. Na vjen keq që ua kemi prishur gjumin si kryeministrit, ashtu edhe atyre që pretendojnë se drejtojnë opozitën. Vendin e kanë mbajtur peng për dekada, por ne jemi më të vendosur se kurrë për të ndërtuar një Shqipëri ku mund të jetohet me dinjitet”, deklaroi ajo.

Protestuesja theksoi se lëvizja qytetare nuk përfaqëson asnjë forcë politike dhe se synon të mbajë distancë nga partitë tradicionale.

Sipas saj, qytetarët kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e vendit, ndërsa në protestë janë dëgjuar vazhdimisht thirrje kundër figurave kryesore të politikës shqiptare.

Protestat, të cilat nisën si reagim ndaj projekteve të investimeve në zonat e mbrojtura, janë zgjeruar gradualisht duke përfshirë edhe kërkesa të tjera që lidhen me qeverisjen, korrupsionin, ekonominë dhe përfaqësimin politik.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa pjesëmarrësit deklarojnë se do të vijojnë aksionin e tyre qytetar deri në adresimin e kërkesave që kanë ngritur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related