Protestat për Zvërnecin shtrihen në Lezhë, qytetarët marshojnë me thirrje kundër qeverisë

Data

Qytetarë të shumtë u mblodhën pasditen e së martës në qendër të Lezhës, duke iu bashkuar valës së protestave që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Tubimi u organizua në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve të investimeve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në Zvërnec, por gjatë protestës u ngritën edhe shqetësime të tjera që lidhen me situatën ekonomike dhe sociale në vend.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të qytetit, duke kërkuar më shumë transparencë në vendimmarrje, mbrojtjen e pasurive natyrore dhe zgjidhje për problematikat që, sipas tyre, po prekin qytetarët çdo ditë.

Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi për rritjen e kostos së jetesës, nivelin e papunësisë, emigracionin dhe gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare. Një pjesë e tyre kërkuan edhe largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar qeverinë përgjegjëse për situatën aktuale.

Organizatorët deklaruan se protesta në Lezhë është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë qytetare që ka përfshirë disa qytete të Shqipërisë dhe komunitete shqiptare jashtë vendit. Ata paralajmëruan se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, me synimin për të mbajtur në vëmendje kërkesat e qytetarëve.

Protestat nisën fillimisht si reagim ndaj projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e ditëve janë shndërruar në një platformë ku po artikulohen edhe shqetësime të tjera që lidhen me qeverisjen, ekonominë dhe të ardhmen e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related