Një moment tensioni është regjistruar gjatë konferencës së kryeministrit Edi Rama me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, teksa një pyetje e një korrespondenteje të huaj ka sjellë një debat të drejtpërdrejtë mes tyre.
Gazetarja po përpiqej të formulonte pyetjen e saj duke iu referuar bisedave dhe perceptimeve të qytetarëve të takuar në terren, por u ndërpre nga kryeministri para se ta përfundonte.
“Doja të pyesja sepse dje kam pyetur disa njerëz në rrugë…”, nisi ajo.
Menjëherë pas kësaj, Rama reagoi duke theksuar se nuk mund të komentonte pretendime apo opinione të dëgjuara në mënyrë informale dhe kërkoi që pyetjet të mbështeteshin në fakte konkrete.
“Po flisni me mua. Nuk është me interes për mua çfarë keni dëgjuar në rrugë. Po më pyesni mua dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që them, sepse përfaqësoj këtë vend dhe qytetarët që më kanë zgjedhur,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se debati publik duhet të mbështetet mbi prova dhe argumente të verifikueshme, duke sfiduar gazetaren që të paraqiste fakte nëse kishte pretendime për të kundërshtuar deklaratat e tij.
“Nuk mund të sfidohem me atë që keni dëgjuar në rrugë. A keni fakte që të vërtetoni se po them diçka të pasaktë? Më tregoni. Më sfidoni me fakte,” deklaroi Rama.
Shkëmbimi i replika-ve tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në sallë dhe u bë një nga momentet më të komentuara të konferencës, ku diskutimet u fokusuan te protestat, projekti në Zvërnec dhe debatet që kanë shoqëruar zhvillimet e fundit në vend.
