Arrestohet një i dyshuar për dhunimin e drejtorit të AKU-së në Shkodër, policia shpall në kërkim autorin kryesor

Data

Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar për përfshirje në dhunimin e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Ramir Haderi, ngjarje e ndodhur më 21 maj në lagjen “Rus”.

Sipas burimeve policore, në pranga ka rënë shtetasi Elis Çela, banues në lagjen “Kiras”, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorin e sulmit duke e transportuar me automjet para dhe pas ngjarjes.

Ndërkohë, uniformat blu kanë identifikuar edhe personin që dyshohet se ka kryer goditjen ndaj Haderit me një send të fortë. Ai është shpallur në kërkim dhe po vijojnë veprimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së 21 majit, kur drejtori i AKU-së u sulmua në lagjen “Rus”. Si pasojë e goditjes, Haderi pësoi një dëmtim në zonën e vetullës dhe mori ndihmën e nevojshme mjekësore në spital, për t’u larguar më pas në banesë.

Një ditë pas incidentit, Haderi reagoi publikisht duke deklaruar se sulmi nuk do ta ndalonte në ushtrimin e detyrës së tij.

Hetimet paraprake po fokusohen te pista e konfliktit për shkak të detyrës. Burime nga grupi hetimor dyshojnë se personat e përfshirë mund të kenë vepruar kundrejt pagesës, ndërsa po verifikohet edhe mundësia e përfshirjes së personave të tjerë si organizatorë apo porositës të sulmit.

Policia e Shkodrës deklaron se hetimet vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related