Rritja e protestave qytetare dhe jehona e tyre në opinionin publik vendas e ndërkombëtar duket se ka shtyrë Partinë Socialiste të rishikojë strategjinë e komunikimit ndaj kësaj lëvizjeje. Një dokument i brendshëm, i shpërndarë tek deputetët dhe drejtuesit e mazhorancës, zbulon udhëzimet që duhet të ndjekin përfaqësuesit socialistë në raport me protestat që kanë shpërthyer ditët e fundit në vend.
Sipas dokumentit, deputetëve u kërkohet të shmangin gjuhën e ashpër, arrogancën dhe çdo formë cinizmi në deklaratat publike, ndërsa theksi vihet tek mirëkuptimi dhe respekti ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestë.
“Shmangni arrogancën, sa më modestë. Në asnjë moment cinizëm, por mirëkuptim”, thuhet në udhëzim.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kërkesa për të mos sulmuar protestuesit apo protestën si fenomen qytetar. Dokumenti sugjeron që kritikat të fokusohen tek individë apo grupe të caktuara që, sipas mazhorancës, mund të përpiqen të manipulojnë protestën për qëllime politike.
Në materialin e shpërndarë, protesta cilësohet si një lëvizje qytetare që meriton respekt, ndërsa socialistëve u kërkohet të bëjnë dallimin mes protestave politike të organizuara nga opozita dhe reagimeve spontane të qytetarëve.
“Ka një diferencë të madhe mes protestave të opozitës dhe atyre qytetare. Kjo është qartazi një protestë qytetare dhe duhen përgëzuar të gjithë ata që marrin pjesë në mënyrë të çiltër”, thuhet në dokument.
Megjithatë, krahas këtij vlerësimi, dokumenti përmend edhe praninë e mundshme të “elementëve manipulativë”, duke aluduar për ndikime politike të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë kuadër përmendet edhe Irani, për të cilin pretendohet se ka amplifikuar protestat në rrjetet sociale.
Një pjesë e rëndësishme e udhëzimeve lidhet me mbrojtjen e projektit të debatueshëm në Zvërnec. Deputetëve u kërkohet të theksojnë se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se procesi ndodhet në fazën e studimit mjedisor.
Po ashtu, përfaqësuesit e mazhorancës orientohen të argumentojnë se Shqipëria ka nevojë për investime strategjike dhe se largimi i investitorëve të mëdhenj mund të dëmtojë perspektivën ekonomike të vendit.
“Nuk ka tokë të dhuruar ndaj asnjë investitori. Bëhet fjalë për një investim të madh që sjell punësim, zhvillim ekonomik dhe promovim të Shqipërisë”, theksohet në dokument.
Në përfundim, udhëzimi nënvizon se protestat qytetare duhen konsideruar pjesë e funksionimit normal të demokracisë dhe se mazhoranca duhet të tregojë gatishmëri për dialog dhe dëgjim të shqetësimeve të qytetarëve.
Publikimi i këtij dokumenti vjen në një moment kur protestat kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e dhjetë, duke shënuar pjesëmarrje të lartë dhe jehonë të gjerë publike.
