Dëshmia e Genc Rulit në GJKKO për dosjen “Partizani”, ish-ministri distancohet nga vendimmarrja: Privatizimin e nisi Ministria e Mbrojtjes

Data

Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen “Partizani” solli dëshminë e ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, i cili dha sqarime mbi procedurat që çuan në privatizimin e ish-kompleksit sportiv.

Gjatë pyetjeve të prokurores së SPAK, Enkeleda Millonai, Ruli deklaroi se Ministria e Ekonomisë kishte rol mbikëqyrës në proceset e privatizimit, por theksoi se iniciativat për privatizim vinin nga ministritë që administronin pronat përkatëse.

Sipas tij, për rastin e kompleksit “Partizani”, ishte Ministria e Mbrojtjes ajo që kishte propozuar privatizimin e pronës, ndërsa Ministria e Ekonomisë ndiqte procedurat ligjore përkatëse.

“Vendimin nëse prona do të mbahej apo do të privatizohej e merrte ministria që e administronte atë. Ministria e Mbrojtjes ishte institucioni që e dërgoi për privatizim”, deklaroi Ruli para trupit gjykues.

Ish-ministri shpjegoi se qeveria e asaj kohe kishte në program kthimin e pronave tek ish-pronarët dhe se procesi i privatizimit ishte pjesë e këtij angazhimi politik. Ai tha se prona e ish-kompleksit sportiv ishte konsideruar e degraduar dhe se synimi kishte qenë përshpejtimi i procedurave për të ruajtur vlerën e saj.

Në disa raste, Ruli u shpreh se nuk i kujtoheshin detaje specifike të vendimeve, ndryshimeve ligjore apo korrespondencave institucionale të asaj periudhe. Ai theksoi se verifikimet teknike dhe ligjore kryheshin nga strukturat përgjegjëse të ministrisë dhe jo nga ministri personalisht.

“Unë jam ministri, nuk i bëj vetë verifikimet. Ka pasur struktura dhe specialistë që merreshin me këto procedura”, u shpreh ai.

Gjatë dëshmisë u diskutuan gjithashtu ndryshimet ligjore të viteve 2007-2008 lidhur me objektet sportive dhe procedurat e privatizimit. Ruli deklaroi se nuk mbante mend detaje konkrete të këtyre ndryshimeve, por shtoi se në atë periudhë kishte një përpjekje të gjerë për të zgjidhur çështjet e pronësisë dhe privatizimit.

Dosja “Partizani” është një nga proceset më të rëndësishme që po shqyrtohet aktualisht në GJKKO. Në këtë çështje janë marrë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë, ndërsa procesi gjyqësor vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe administrimin e provave.

Të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related