Protesta qytetare para Kryeministrisë vijoi edhe këtë të hënë me pjesëmarrje të lartë, ndërsa në podium morën fjalën edhe përfaqësues të diasporës shqiptare të ardhur nga Britania e Madhe.
Një prej folësve deklaroi se dhjetëra shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar janë nisur drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestave të paralajmëruara në ditët në vijim.
“Ashtu si perla që e ka brenda guaskën, ashtu jeni ju. Dy çartera dhe 50 makina po vijnë nga Londra. Ata do të marshojnë nga Rinasi deri këtu në sheshin para Kryeministrisë. Shqipëria e re nis nga mendimi i ri, nga fjala e re, jo nga ofendimet dhe mallkimet”, u shpreh ajo para protestuesve.
Një tjetër emigrant shqiptar, që sipas deklaratës së tij jeton prej 28 vitesh në Londër, u bëri thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit të angazhohen dhe të marrin pjesë në zhvillimet qytetare në Shqipëri.
“Vij nga Londra sot. Prej 28 vitesh jetoj në Londër. I bëj thirrje emigrantëve shqiptarë që të vijnë në Shqipëri dhe t’i bashkohen kësaj lëvizjeje. Shqipëria na do sot këtu. Duhet të jemi pranë vendit tonë dhe pranë shqiptarëve”, tha ai.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të diasporës u prit me duartrokitje nga protestuesit, ndërsa organizatorët theksuan se në ditët në vijim pritet të ketë një përfshirje më të madhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Protesta, e cila nisi si reagim ndaj projektit në Zvërnec dhe ndryshimeve ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura, është shndërruar gradualisht në një lëvizje më të gjerë qytetare, me pjesëmarrës që shprehin shqetësime për çështje të ndryshme politike, ekonomike dhe mjedisore.
