Komisioni Evropian ngre shqetësime për projektin në Zvërnec: Shqipëria të mos rrezikojë rrugën drejt BE-së

Data

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me projektin e planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke paralajmëruar se veprime që cenojnë standardet mjedisore mund të ndikojnë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, theksoi se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me standardet evropiane për mjedisin dhe klimën në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Sipas Mercier, në përmbushje të detyrimeve të Kapitullit 27, Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht Direktivat për Shpendët dhe Habitatet, të shmangë veprimet që mund të dëmtojnë habitatet natyrore dhe të garantojë mbrojtjen e zonave që në të ardhmen mund të bëhen pjesë e rrjetit Natura 2000.

“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes”, citohet të ketë deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Brukseli ka rikujtuar gjithashtu shqetësimet e mëparshme lidhur me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike dhe ndikimet e mundshme të tij në zonat e mbrojtura natyrore.

Sipas Komisionit Evropian, autoritetet shqiptare kanë informuar se punimet në zonë janë pezulluar dhe se çdo projekt i mundshëm do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Plotë të Ndikimit në Mjedis, në konsultim me shoqërinë civile dhe publikun.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka deklaruar se nuk ekziston ende një projekt përfundimtar i miratuar për zonën dhe se nuk ka punime ndërtimi aktive, duke ritheksuar angazhimin e vendit ndaj procesit të integrimit evropian.

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektet e propozuara në Zvërnec dhe Sazan, duke argumentuar se ato përfaqësojnë investime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Zona e Pishë Poro–Nartës konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për shpendët migratorë dhe biodiversitetin bregdetar, përfshirë kolonitë e flamingove, duke e bërë debatin mbi zhvillimin e saj një çështje me interes të lartë publik dhe mjedisor.

Diskutimet lidhen edhe me projektet e shpallura më herët nga Jared Kushner për investime turistike në zonën e Zvërnecit, të cilat kanë nxitur reagime të shumta nga aktivistë, organizata mjedisore dhe përfaqësues politikë brenda dhe jashtë vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related