Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me debatet për projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke e akuzuar për standarde të dyfishta dhe mungesë transparence.
Përmes një reagimi publik, Vasili solli në vëmendje rastin e një banoreje të moshuar të Nartës, e cila sipas tij ishte ndëshkuar për një ndërtim pa leje, ndërsa pretendon se autoritetet kanë injoruar ndërhyrjet dhe rrethimet e kryera në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
“Rama me qeverisjen e tij nuk fali një grua 81-vjeçare për një kotec pa leje në Nartë, por nuk pa telat me gjemba dhe makineritë në Zvërnec”, shprehet Vasili.
Sipas tij, autoritetet shtetërore tregojnë vigjilencë të lartë ndaj qytetarëve të zakonshëm, ndërsa mbyllin sytë përballë zhvillimeve që kanë shkaktuar debat publik dhe reagime nga organizata mjedisore dhe qytetarë.
Vasili akuzon kryeministrin se ka neglizhuar çështje që lidhen me zonat e mbrojtura, konfliktet e pronësisë dhe respektimin e ligjit, duke pretenduar se mungesa e reagimit institucional nuk është rastësore.
“Pra, syri që sheh çdo gjë nuk e pa Zvërnecin. Nuk pa telat me gjemba, nuk pa ligjin për zonat e mbrojtura dhe nuk pa konfliktet për pronën”, deklaron ai.
Në reagimin e tij, Vasili përdor tone të ashpra politike ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për favorizim të interesave private në dëm të interesit publik dhe të pasurive kombëtare.
Debati për projektin në Zvërnec vijon të mbetet në qendër të përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa protestat dhe reagimet publike kanë vazhduar si në Shqipëri ashtu edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
