Braçellari hesht për vrasjen e efektivit Enea Mekolli, mohon lidhjet me kultivimin e drogës

Data

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Violand Braçellarin, i cili akuzohet për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjen e efektivit tjetër, Edison Adri.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, e zhvilluar në ambientet e spitalit ku ai ndodhet i shtruar për trajtim mjekësor, Braçellari ka zgjedhur të mos japë shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë për të cilën akuzohet.

Sipas burimeve nga seanca, ai është ndalur vetëm te një çështje e mëparshme penale, duke komentuar dënimin e marrë në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës për kultivim të lëndëve narkotike. Braçellari ka pretenduar se nuk ka pasur lidhje me kultivimin e kanabisit, pavarësisht vendimit të formës së prerë që e dënoi me 10 vite burg.

Ndërkohë, për akuzat aktuale që lidhen me vrasjen e efektivit Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit Edison Adri, ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë, duke mos iu përgjigjur pyetjeve mbi rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni policor për kapjen e Braçellarit. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka hapur zjarr me armë automatike ndaj forcave të policisë, duke shkaktuar vdekjen e efektivit Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave që çuan në përplasjen e armatosur me forcat e rendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related