Aktori i njohur nga Kosova, Çun Lajçi, ka ndarë një mesazh të fortë emocional pas pjesëmarrjes së tij në protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lajçi përshkroi atmosferën e protestës si një manifestim të ndërgjegjes qytetare, ku mijëra njerëz të të gjitha moshave u bashkuan për të mbrojtur atë që ai e konsideron pasuri të përbashkët kombëtare.
Sipas tij, protesta ishte një dëshmi se një brez i ri po ngrihet për të kërkuar më shumë përgjegjësi ndaj vendit dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që cenon interesin publik.
“Një gjeneratë rinore është çuar në këmbë. Një dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit dhe një fllad prej Dajtit ka zbritur në Tiranë për t’u kujtuar njerëzve se atdheu nuk është plaçkë tregu”, shkruan Lajçi.
Aktori ndalet veçanërisht te një moment që e ka prekur gjatë protestës, kur pa një nënë të re me foshnjën në krah, të mbështjellë me flamurin kombëtar, duke thirrur: “Shqipëria nuk shitet!”. Ai rrëfen se kjo skenë i riktheu shpresën dhe besimin te e ardhmja.
Në reflektimin e tij, Lajçi shtron edhe një pyetje që, sipas tij, duhet të shqetësojë çdo qytetar: “Ç’na duhen fëmijët, nëse ua shesim tokat?”.
Ai kritikon gjithashtu klasën politike për fokusimin te lufta për pushtet, ndërsa çështjet që lidhen me interesin kombëtar dhe mbrojtjen e territorit mbeten në plan të dytë.
“Në Prishtinë kur zbrita, askush nuk më pyeti për lumin e njerëzve që kishte mbushur Tiranën duke brohoritur ‘Mos bëni pazare me atdheun’. Ata kishin hall tjetër: jo Shqipërinë, por fituesin e nesërm; jo atdheun, por pushtetin”, përfundon aktori.
Mesazhi i Çun Lajçit është pritur me reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë vlerësuar si një thirrje për reflektim mbi përgjegjësinë ndaj vendit dhe brezave të ardhshëm.
