Protesta e diasporës shqiptare mbërrin në Uashington DC, kërkohet largimi i qeverisë Rama

Data

Vala e protestave të diasporës shqiptare kundër qeverisë shqiptare është shtrirë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara Ambasadës së Shqipërisë në Uashington DC.

Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta, pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit deklaruan se po mbështesin protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Sipas organizatorëve, protesta kishte për qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare mbi shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë, si dhe shprehjen e solidaritetit me lëvizjet protestuese në atdhe.

Tubimi në kryeqytetin amerikan vjen në vijim të protestave të organizuara nga komunitetet shqiptare në disa vende të Europës, përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Italinë, Suedinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Pjesëmarrësit theksuan se diaspora do të vijojë të angazhohet në aktivitete dhe iniciativa publike për të ngritur zërin mbi çështjet që, sipas tyre, prekin të ardhmen e Shqipërisë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.

Ndërkohë, protestat në Shqipëri vazhdojnë prej më shumë se një jave, me organizatorët që kanë deklaruar se mobilizimi do të vijojë deri në adresimin e kërkesave të tyre nga institucionet shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related