Vala e protestave të diasporës shqiptare kundër qeverisë ka vijuar edhe në Austri, ku dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në qendër të Vjenës për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës politike në Shqipëri.
Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa disa prej tyre shprehën edhe kërkesa për hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve që, sipas tyre, mbajnë përgjegjësi për problemet me të cilat përballet vendi.
Protesta në Vjenë vjen në vazhdën e tubimeve të organizuara nga komunitetet shqiptare në qytete të ndryshme europiane, ku diaspora ka shprehur mbështetjen për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Organizatorët deklaruan se synimi i tyre është të sensibilizojnë opinionin publik ndërkombëtar mbi zhvillimet politike në vend dhe të mbështesin kërkesat e qytetarëve për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe respektim të interesit publik.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit edhe në qytete të tjera europiane, përfshirë Milanon, Londrën, Berlinin, Mynihun dhe Stokholmin, ku shqiptarët e diasporës kanë organizuar tubime në solidaritet me protestuesit në Shqipëri.
Ndërkohë, protestat në Tiranë vijojnë prej një jave, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.
