Protestuesit ndalojnë para Ministrisë së Infrastrukturës, thirrje: “Arresto Ballukun”

Data

Protesta kundër projektit të Zvërnecit ka vijuar edhe në orët e mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, pasi pjesëmarrësit u larguan nga sheshi para Kryeministrisë dhe marshuan drejt qendrës së Tiranës.

Gjatë kalimit pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, protestuesit artikuluan në kor thirrjen “Arresto Ballukun”, duke shprehur qëndrimin e tyre lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Tubimi, i cili nisi rreth orës 18:00, u karakterizua nga pankarta, slogane dhe thirrje të ndryshme kundër qeverisë, ndërsa protestuesit vijuan marshimin në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Pjesëmarrësit deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar transparencë për projektin e Zvërnecit, ndryshime në legjislacionin që lidhet me investimet strategjike dhe përgjegjësi politike për çështje që, sipas tyre, prekin interesin publik.

Protesta u zhvillua nën monitorimin e forcave të policisë dhe deri në mbrëmje nuk u raportuan incidente të rëndësishme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related