Vrasja e efektivit Mekolli, AMP dhe Prokuroria hetojnë operacionin në Maliq: Nën verifikim zinxhiri komandues i Policisë

Data

Hetimet për vrasjen e efektivit të Forcës “Shqiponja”, Enea Mekolli, gjatë operacionit policor në Lozhan të Maliqit, janë përqendruar tashmë tek mënyra e organizimit dhe planifikimit të aksionit që përfundoi tragjikisht me humbjen e jetës së një efektivi dhe plagosjen e një tjetri.

Prokuroria e Korçës, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka nisur verifikime të hollësishme për të përcaktuar nëse operacioni është zhvilluar sipas procedurave ligjore dhe nëse është vlerësuar në mënyrë korrekte niveli i rrezikshmërisë së objektivit që do të arrestohej.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se po merren në pyetje të gjithë personat që kanë pasur dijeni për operacionin, ndërsa po analizohet i gjithë zinxhiri komandues, nga faza e planifikimit deri tek ekzekutimi në terren.

Një nga çështjet kryesore që po shqyrtohen lidhet me mungesën e përfshirjes së strukturave të specializuara si RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe njësitë operacionale, duke pasur parasysh se personi që kërkohej për arrestim, Violand Braçellari, konsiderohej me rrezikshmëri të lartë dhe kishte vite që i shmangej drejtësisë.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse numri i efektivëve të angazhuar në operacion ishte i mjaftueshëm për përballimin e situatës. Sipas të dhënave paraprake, në terren kanë qenë të përfshirë një numër i kufizuar punonjësish policie, ndërsa terreni i vështirë malor ka sjellë probleme logjistike, pasi një automjet policie ka pësuar defekt dhe disa efektivë nuk kanë mundur të arrijnë në kohë në zonën e operacionit.

Një tjetër element që po analizohet është koordinimi institucional mes strukturave policore. Deklarata publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se nuk kishte pasur dijeni për operacionin, ka ngritur pikëpyetje mbi respektimin e procedurave të informimit dhe funksionimin e zinxhirit të raportimit brenda Policisë së Shtetit.

Në fokus të hetimeve është edhe mundësia nëse operacioni duhej të ishte mbështetur nga më shumë forca të specializuara dhe mjete teknologjike, si dronë, pajisje vëzhgimi dhe sisteme monitorimi, me qëllim minimizimin e rrezikut për efektivët në terren.

Përgjigjet që do të dalin nga këto hetime pritet të sqarojnë nëse rreziku është vlerësuar siç duhet, nëse operacioni është organizuar sipas standardeve të kërkuara dhe nëse ka pasur përgjegjësi institucionale në ngjarjen tragjike që i kushtoi jetën efektivit Enea Mekolli gjatë kryerjes së detyrës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related