Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e Zvërnecit, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përpjekje për të shmangur diskutimin publik mbi një çështje që, sipas tij, prek interesat kombëtare dhe territorin e vendit.
Përmes një reagimi publik, Vasili ngriti një sërë pyetjesh lidhur me natyrën e investimit të përfolur në Zvërnec, duke vënë në dyshim pretendimet se bëhet fjalë për një investim amerikan.
Sipas tij, nëse kryeministri Edi Rama deklaron se nuk ekziston ende një projekt i miratuar, atëherë lind pyetja se përse po mbrohet me kaq forcë iniciativa dhe si është përcaktuar vlera e investimit prej 4 miliardë eurosh pa një projekt konkret apo studim fizibiliteti.
“Po si mundet që Rama të flasë për 4 miliardë euro kur nuk ka asnjë projekt dhe asnjë studim fizibiliteti? Nga ka dalë kjo shifër?”, shprehet Vasili.
Ai theksoi se debati publik nuk mund të mbyllet vetëm duke përdorur termin “investim amerikan”, ndërsa kërkoi më shumë informacion mbi investitorët realë dhe burimet financiare të projektit.
Sipas Vasilit, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë, sidomos kur bëhet fjalë për zona me rëndësi të veçantë natyrore dhe turistike.
Deputeti shtoi se në vendet demokratike respektohen ligjet për mbrojtjen e mjedisit, konsultohen komunitetet lokale dhe garantohen të drejtat e qytetarëve për të protestuar, duke nënvizuar se e njëjta qasje duhet të ndiqet edhe në Shqipëri.
“Interesi publik nuk është pronë e Edi Ramës dhe e askujt tjetër në këtë vend. Transparenca është një detyrim që nuk mund të anashkalohet”, deklaroi ai.
Në fund të reagimit, Vasili akuzoi qeverinë se po përdor argumentin e investimeve dhe shifra të mëdha financiare si mënyrë për të shmangur sqarimin e plotë të projektit, ndërsa kërkoi që çdo vendimmarrje të bëhet me transparencë dhe në respekt të interesit publik.
