Dosja Balluku thellohet, biznesmeni Pandeli Carapuli paraqitet në SPAK për vilën e sekuestruar në Dhërmi

Data

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku kanë vijuar me marrjen në pyetje të biznesmenit Pandeli Carapuli, i cili u paraqit këtë të premte në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Carapuli nuk pranoi të japë deklarata për mediat, ndërsa burimet bëjnë me dije se paraqitja e tij lidhet me hetimet për vilën në kompleksin rezidencial “White Rocks” në Dhërmi, e cila është vendosur nën sekuestro preventive.

Sipas materialeve hetimore, SPAK dyshon se pasuria në fjalë është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të një operatori ekonomik gjatë një procedure prokurimi të zhvilluar në kohën kur Belinda Balluku drejtonte Albcontrol.

Në qendër të hetimit ndodhet një vilë me vlerë të deklaruar rreth 145 mijë euro, e cila sipas prokurorëve dyshohet se është fshehur përmes veprimeve juridike dhe kontratave të konsideruara fiktive. Hetuesit pretendojnë se për të maskuar pronësinë reale të pasurisë janë përdorur persona të tretë, mes tyre edhe ish-futbollisti Igli Tare dhe një ish-vartëse e Ballukut në Albcontrol.

Ndërkohë, një ditë më parë SPAK konfirmoi se ka zgjeruar hetimet duke ngritur akuza të reja për korrupsion pasiv dhe pastrim parash ndaj Belinda Ballukut, ndërsa vila në Dhërmi është sekuestruar si pasuri e dyshuar e lidhur me aktivitetin kriminal që po hetohet.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrjedhën e plotë të transaksioneve, marrëdhëniet mes palëve të përfshira dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të secilit person që rezulton i lidhur me këtë dosje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related