Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, udhëtoi drejt Tivatit për samitin BE–Ballkani Perëndimor mes paralajmërimeve të forta të inteligjencës serbe për rrezik të lartë sigurie. Sipas mediave serbe, Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë (BIA) kishte rekomanduar që kreu i shtetit të shmangte udhëtimin në Mal të Zi, pas informacioneve se Radoje Zvicer, një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar në Ballkan, mund të ndodhej në territorin malazez.
Debati u ndez edhe më shumë pas deklaratës së politikanit malazez Milan Knežević, i cili u shpreh se “është më mirë që Vuçiç të shkojë në Gaza sesa të vijë këtu”, duke shtuar tensionet politike përpara samitit rajonal.
Radoje Zvicer, i lindur në Kotor, konsiderohet lideri i klanit famëkeq “Kavaç”, një organizatë kriminale e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe në përplasjet e përgjakshme me klanin rival “Shkalja”. Konflikti mes dy grupeve ka shkaktuar dhjetëra viktima në Mal të Zi, Serbi dhe vende të tjera evropiane.
Autoritetet evropiane e konsiderojnë Zvicerin një nga personat më të rrezikshëm në arrati. Ai kërkohet nga disa shtete, ndërsa Europol ka publikuar urdhër-arreste dhe informacione të përditësuara për identifikimin e tij. Sipas hetimeve, ai përdor një numër të madh identitetesh të rreme dhe dyshohet se ka organizuar operacione të mëdha të trafikimit të kokainës në Evropë.
Një nga episodet më të njohura që lidhet me të ishte atentati i vitit 2020 në Kiev, ku ai mbijetoi pas një sulmi me armë zjarri. Që prej asaj kohe, vendndodhja e tij mbetet e paqartë, ndërsa raportime të ndryshme e kanë lidhur herë pas here me Malin e Zi dhe Amerikën e Jugut.
Sipas mediave serbe, Europol ka ngritur më herët shqetësime për mundësinë e një atentati ndaj presidentit Vuçiç, duke përmendur skenarë të mundshëm që varionin nga sulmet gjatë aktiviteteve publike deri te goditja e autokolonës presidenciale.
Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të sigurisë, Vuçiç konfirmoi pjesëmarrjen në samitin e Tivatit, ku liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor po diskutojnë mbi zgjerimin e BE-së, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik.
