Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi Enea Mekolli, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi institucionale për mënyrën se si u menaxhua aksioni.
Gjatë një interviste televizive, Lala u shpreh se rasti ngre pikëpyetje serioze mbi procedurat e ndjekura nga strukturat policore dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së personit që ishte objekt i operacionit.
Sipas saj, në raste të tilla duhej të ishte marrë në konsideratë përfshirja e forcave speciale, për shkak të profilit të personit të kërkuar dhe rrezikut që ai paraqiste.
Lala ndaloi veçanërisht te deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili tha se nuk kishte pasur dijeni për operacionin. Sipas gazetares, nëse rezulton se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka vepruar pa njoftuar strukturat qendrore, atëherë duhet të ketë hetim për përgjegjësitë administrative dhe penale të drejtuesve përkatës.
“Duhet të ketë një hetim të thelluar për këtë ngjarje dhe përgjegjësi institucionale. Nëse është anashkaluar zinxhiri institucional dhe nuk janë njoftuar eprorët, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz që kërkon përgjigje”, u shpreh Lala.
Ajo theksoi se humbja e një efektivi në krye të detyrës kërkon jo vetëm nderime për sakrificën e tij, por edhe transparencë të plotë mbi rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike.
“Kemi një dëshmor, por ende nuk kemi parë asnjë dorëheqje”, deklaroi gazetarja.
