GJKKO dënon me 7 vite e 4 muaj burg Erio Zejnon, ndihmësi i grupit që planifikoi vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg Erio Zejnon, i akuzuar si pjesë e grupit kriminal që planifikoi atentatin ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajt në Vlorë gjatë vitit 2023.

Vendimi u shpall këtë të enjte, pas gjykimit të zhvilluar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Sipas GJKKO-së, Zejno u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes, mbajtje pa leje të armëve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Fillimisht, gjykata caktoi ndaj tij një dënim të përbashkuar prej 11 vitesh burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj burgim.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal drejtohej nga Leonard Luzi, i cili dyshohet se ishte financuar nga një person ende i paidentifikuar për eliminimin e dy objektivave, për shkak të konflikteve që lidhen me lojërat e fatit.

Në grup bënin pjesë edhe Amarildo Nikolli, i parashikuar si ekzekutor, si dhe Muharrem Koroveshi dhe Erio Zejno në rolin e ndihmësve. Sipas dosjes hetimore, Koroveshi dhe Zejno siguruan armët, ndihmuan në identifikimin e objektivave dhe do të asistonin në largimin e autorit pas atentatit.

Plani kriminal u ndërpre më 7 gusht 2023, kur policia arrestoi Amarildo Nikollin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Gjatë kontrollit, atij iu gjet një pistoletë me silenciator, e pajisur me 14 fishekë në karikator dhe një fishek në folenë e qitjes.

Më herët, në janar të vitit 2025, GJKKO kishte dënuar Leonard Luzin dhe Muharrem Korroveshin me nga 11 vite burg, ndërsa Amarildo Nikolli, i cili përfitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, u dënua me 2 vite e 9 muaj burg.

Vendimi ndaj Erio Zejnos mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related