Deputeti socialist Erion Braçe i ka bërë thirrje shtetit grek të nënshkruajë sa më parë marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Shqipërinë, duke e cilësuar çështjen si një problem të të drejtave themelore të njeriut.
Nga foltorja e Kuvendit, Braçe deklaroi se mijëra shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuar për vite me radhë në Greqi vijojnë të mos përfitojnë nga kontributet e tyre të sigurimeve shoqërore. Sipas tij, Greqia nuk ka të drejtë të mbajë këto kontribute pa u ofruar qytetarëve shqiptarë përfitimet që u takojnë.
“Greqia s’ka asnjë të drejtë të mbajë atje kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Kur nuk u jep atyre asnjë shërbim. Polakëve dhe rumunëve ua ka njohur sigurimet shoqërore, ndërsa shqiptarëve jo”, u shpreh Braçe.
Deputeti socialist kritikoi gjithashtu ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se gjatë mandateve të tij nuk u arrit asnjë marrëveshje për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Në fjalën e tij, Braçe komentoi edhe protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke theksuar se mes protestuesve ka qytetarë të ndershëm, por edhe individë që sipas tij përpiqen të përfitojnë politikisht nga situata.
